Monday, February 26, 2024
spot_img

Latest Posts

Shqiptarët tani e kanë pushtetin, por nuk e kanë fuqinë e përmirësimit të jetesës!

Shkup, 26 janar – Gjendja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ka kaluar në faza të ndryshme, duke u përballur me sfida e probleme shumë të vështira. Duke filluar nga mohimi i të drejtës për arsim e deri te punësimet në baza etnike, që të qenurit shqiptar ishte një barrierë dhe pengesë e madhe për avancim e integrim brenda shtetit. Por, me kalimin e kohës dhe me rezistencën e treguar si dhe shpërthimi i konfliktit të vitit 2001 ndryshoi shumëçka në vend, por jo edhe gjithçka. Ajo që ishte më e rëndësishme është fakti që pas kësaj shqiptarët kishin të drejtën e arsimit në gjuhën amtare atë shqipe brenda vendit, pa mos shkuar në vende të ndryshme të botës. Nga periudha e arsimit deri te periudha e punësimit, e pastaj procesi i integrimit në institucionet e vendi ka qenë vështirësitë më të mëdha të shqiptarëve përgjatë këtij rrugëtimi. Por, sot shqiptarët janë më të integruar se asnjëherë më parë kanë pushtet të paparë më parë, por edhe ky fakt nuk e ndryshon dot gjendjen pra gjendja e mjerueshme pa pushtet është e justifikueshme por me pushtet dhe gjendje të pakënaqshme është e pakuptimtë, shkruan Zhurnal.

Shqiptarët me pushtet të mjaftueshëm por pa fuqi-

Përbërja aktuale e Qeverisë përmban një numrin më të madh të shqiptarëve që ka pasur ndonjëherë më parë, pra ka qenë moment historik për shqiptarët për ta shfrytëzuar këtë momentum dhe për të çuar përpara çështjet që janë të rëndësisë së veçantë për shqiptarët.

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi: zëvendëskryetar i Qeverisë për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi; Ministër i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi; Ministër i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani; Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini; Ministër i Financave, Fatmir Besimi; Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri; Ministër i Shëndetësisë, Bekim Sali; Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti; Ministër pa portofol i ngarkuar për diasporë, Xhemail Çupi.

Pra, nga 16 ministri, 8 udhëhiqen nga shqiptarët, si dhe dy zëvendës kryeministra. Kjo nënkupton se shqiptarët në këtë ekzekutiv kanë zënë vende të mira dhe kanë pushtet të mjaftueshëm për t’i ndryshuar gjërat në drejtim pozitiv.

Në Kuvend gjendja e shqiptarëve nuk është më keq se në Qeveri, atje bashkërisht janë 33 deputetë shqiptarë, që realisht e kanë çelësin e krijimit ë cilës do qeveri. Si në ekzekutiv ngjashëm edhe në legjislativ shqiptarët në këtë kohë të përfaqësuar si asnjëherë më parë, por edhe përkundër këtij fakti sërish gjendja e shqiptarëve nuk është se ka pasur ndryshime drastike.

Shumë shqiptarë në pushtet, shumë pak kushte për shqiptarët-

Nëse shikojmë numrin e të rinjve që largohen prej vendi është lehtë e kuptueshme se si qëndron gjendja e qytetarëve në këtë vend, numri më i madh i atyre që largohen janë shqiptarë kryesisht nga zonat e banuara tërësisht me shqiptarë, si rajoni i Pollogut, Likovës, Kumanovës, e shumë qytete të tjera.

Qytet e banuara me shqiptarë po boshadisen, sepse nuk ka punë për shqiptarët, përpos mungesës së punës shqiptarët janë dëshmitarë të gjallë që në këtë vend edhe drejtësia është selektive dhe gjykohesh në bazë të etnisë që e ke. Pra, mungesa e mirëqenies sociale, sigurisë, drejtësisë, janë shkaqet kryesore pse shqiptarët janë të pakënaqur në këtë vend.

Kushtet elementare për jetesë u mungojnë shqiptarëve, mos të flasim pastaj për meritokraci, më e keqe se kjo është fakti se tani shqiptarët gëzojnë pushtet mjaftueshëm por ironia është pikërisht këtu se të kesh pushtet pa fuqi është e pashpejgueshme logjikisht por që ndodhë praktikisht në vendin tonë. Shqiptarët aktualisht janë faktor në numër, e më keq se kaq po tentohet të bëhet edhe defaktorizimi i tyre që mos të jenë më as në numër.

Defaktorizimi i shqiptarëve nuk zbrit prej qiellit, vjen nga toka nga këta politikanë shqiptarë që nuk mund të bëhen bashkë, e kjo është mungesë e përgjegjësisë së tyre.  Ndarjet, përçarjet dëshpërojnë votuesin shqiptarë maksimalisht dhe disa nuk votojnë fare e disa votojnë edhe për parti maqedonase. Pra, në këtë formë vota shqiptare del prej ene dhe e humbë rrugën, sepse kemi shumë parti dhe ato pak vota shpërndahen gjithandej, e pastaj në Kuvend reduktohet numri i deputetëve shqiptarë, e ky reduktim pastaj prodhon regres të pashmangshëm sepse mungon ndikimi e faktorizimi.

Kujtojmë që, në numrin e përgjithshëm të popullsisë së regjistruar në Maqedoninë e Veriut në vitin e kaluar, që përfshin popullsinë rezidente dhe jorezidente, janë regjistruar gjithsej 2.097.319 persona dhe prej tyre; 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, si dhe pakicat tjera.

Përsa i përket popullsisë jorezidente ose qytetarët të cilët kanë emigruar vendeve të jashtme vërehet se numri i shqiptarëve është pothuajse tri herë më i madh. Maqedonasit si popullsi jorezidente janë 24,45%, shqiptarët jo rezidentë janë regjistruar 66,36%, pra kjo është dëshmia më e mirë që se në çfarë gjendje janë shqiptarët si dhe numri i tyre që kanë lëshuar vendin është shumëfish më i madh për dallim prej qytetarëve tjerë.

Prandaj, duhet ndryshim në veprim të kërkohet pushtet që të ketë ndikim jo “pushtet pa fuqi”, të bëhet faktorizimi i shqiptarëve në vend në mënyrë që të ndryshojë edhe gjendja, përndryshe shqiptarët nuk kanë nevojë për figura apo “kukulla” që vetëm të plotësohen egot e tyre për pozita të larta, e asesi të plotësohen nevojat e shqiptarëve. /Zhurnal.mk

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss