Shkup, 8 qershor – Në Gjykatën Penale në Shkup sot në orën 12:30 do të publikohet aktgjykimi për lëndën “Talir 2”, në të cilën të akuzuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruveski, i cili ndodhet në arrati dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë dhe i VMRO-DPMNE-së, Kirill Bozhinovski.
Të akuzuarit ngarkohen për keqpërdorimin e pozitës zyrtare, me ç’rast kanë mundësuar personi juridik “Beton” SHA Shkup, ta ndërtojë selinë e partisë politike VMRO-DPMNE, në kohën kur kompania ka pasur marrëveshje të dakorduara për furnizime publike me organe shtetërore dhe institucione publike apo ndërmarrje, në kundërshtim me Ligjin për parti politike, Ligjin për financimin e partive politike dhe Ligjin për marrëdhënie obligative.
Lëndën e udhëheqë, Daniella Aleksovska Stojanovska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurori publik Lubomir Llape.
Debati kryesor për lëndën përfundoi dje me fjalët përfundimtare të të akuzuarit të dytë në rastin “Talir 2” Kirill Bozhinovski i cili i adresoi kritika Gjykatës Themelore Penale – Shkup se gjatë gjykimit për këtë lëndë i janë shkelur të drejtat e tij. Ai mohoi se është dakorduar ose se ka negociuar me SHA – Beton për ndërtimin e selisë së VMRO-DPMNE-së dhe potencoi se me dëshmitë e nxjerra nga Prokuroria nuk është mbështetur aktakuza.
Paraprakisht, avokati Goran Karkinski, i cili ishte emëruar me detyrë zyrtare për ta mbrojtur të akuzuarin e parë Nikolla Gruevski, tha se gjatë gjykimit Prokuroria nuk ka prezentuar asnjë provë ose dëshmi, për atë që e akuzon Gruevskin.