Tuesday, November 29, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Sot studentët protestojnë, ka ikur koha e shtypjes së studentëve!

Shkup, 14 nëntor – Mungesa e një unifikimi studentor pati ndikuar që studentët me vite të kaplohen nga një pasivitet i thellë. Maqedonia e Veriut ka student e zë studentor, vetëm se për një kohë të caktuar edhe për shkak të zhvillimeve dramatike me të cilat është përballur vendi, studentët nuk mund të gjenin dot rendin e tyre për tu ngritur në këmbë dhe për të dëshmuar se studentët kanë zë. Mbase, pas një kohe të gjatë lëvizje të tilla në këtë drejtim po vërehen, sepse sot studentët do të protestojnë përballë Kuvendit, me kërkesa shumë të qarta e të nevojshme. Studentët kërkojnë tërheqjen e propozim-amandamenteve të Ligjit për ushqime të subvencionuara të studentëve, sipas të cilëve bëhet ndarje e studentëve të cilët mund ta shfrytëzojnë subvencionin, dhe rritje e vaktit nga 120 në 150 denarë. Këto janë kërkesat kryesore por nuk janë të vetmet, shkruan Zhurnal.

Të jesh student në Maqedoninë e Veriut është sfidë e dyfishtë, në të njëjtën kohë përballesh me probleme të shumta arsimore për sa i përket sistemit arsimor dhe cilësisë në arsim, ndërkaq në anën tjetër përballesh edhe me probleme të ndryshme për sa i përket mbulimit të shpenzimeve që kanë kosto të lartë. Për fat të keq në këtë vend studentët nuk e kanë fatin e mundësinë që edhe të studiojnë edhe të punojnë, prandaj një pjesë e tyre pushimin veror e shfrytëzojnë për të punuar jashtë shtetit.

Por, problemet e tilla veçse trashen dhe shtohen asesi nuk mënjanohen përderisa studentët qëndrojnë duarlidhur duke qenë subjektet kryesore, prandaj zëri studentor duhet të dëgjohet, duhet të dëshmohet se studentët kanë organizim fuqi dhe potencial të ngrihen në këmbë të kërkojnë e marrin atë që e meritojnë, madje studentët po deshën mund të rrënojnë edhe pushtete.

Studentë nga Maqedonia e Veriut me dekada kanë qenë viktimë e politikave të këqija dhe pasivitetit institucional. Është koha të ngrihen kundër shkatërrimit të standardit arsimor e studentor. Ndaj është koha e rezistencës studentore. Kjo thirrje vjen nga një nismë studentore në rrjetet sociale, ku bëhet e ditur për mbajtjen e një proteste studentore para Kuvendit sot në orën 16.00.

Studentët që thërrasin protestën kërkojnë tërheqjen e propozim-amandamenteve të Ligjit për ushqime të subvencionuara të studentëve dhe rritje e vaktit nga 120 në 150 denarë. Studentët kërkojnë barazimin e bursave me shumën më të lartë, përjashtimin e studentëve nga masat antikrizë të qeverisë për racionalizimin dhe kursimin e energjisë elektrike, përmirësimin e kushteve dhe rehabilitimin e menjëhershëm aty ku është e nevojshme në konviktet studentore.

Studentët e caktuan këtë protestë pasi disa deputetë propozuan ndryshime në Ligjin për ushqimin e subvencionuar të studentëve. Njëra nga nënshkruesit e këtij propozimi, deputetja Monika Zajkova, ka bërë të ditur se propozimi për këto ndryshime po tërhiqet dhe u ka bërë thirrje studentëve që po në të njëjtën ditë në orën 16 të vijnë në Kuvend dhe të merren vesh për masat për përmirësimin e standardit të tyre.

Rreth kërkesës së deputetit Trajanov për seancë të posaçme në Kuvend për të diskutuar enkas për kërkesat e studentëve, kryeministri i vendit ka thënë se është mirë të ketë seancë të tillë, madje ka shprehur edhe dëshirën të merr pjesë në të.

Megjithatë, ai kujtoi propozuesit të kësaj seance, Trajanov, që në kohën kur ishte në koalicion me kryeministrin Gruevski janë rrahur studentët në sheshe dhe para Qeverisë dhe ka krahasuar se si trajtohen studentët sot, nga 2017 e deri më sot, duke aluduar në kohën prej kur me vendin qeverisë partia të cilën e drejton vetë ai, LSDM-në.

Edhe studentët jetojnë në këtë shtet të varfër dhe janë të prekur nga kriza –

Rritja e çmimeve ka rritur edhe kostot e studentëve. Në Tetovë studentët ankohen se rritja e çmimeve e ka bërë edhe më të vështira studimet. Pos shpenzimeve për ushqim i papërballueshëm është bërë edhe pagesa e banesave që shfrytëzohen nga ana e tyre me qira, përgjatë kohës sa qëndrojnë në qytetin e Tetovës për t’i vijuar studimet e tyre.

Qyteti Tetovës është qytet i dy Universiteteve, prandaj vijnë studentë të shumtë nga qytete tjera por edhe nga vendet fqinje, të cilët jetojnë në konvikte apo banesa me qira. Shumica prej tyre janë të financuar nga prindërit për të vazhduar studimet, por rritja e fundit e çmimeve ka bërë që ata të kenë nevojë për më shumë para për të përballuar shpenzimet.

Pasi kemi të bëjmë me një rritje të çmimeve e cila është e gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse, kemi të bëjmë me një rritje të hovshme të çmimeve të banesave, rrymës, ushqimit të përditshëm, materialeve të duhura studimore e shumëçka tjetër, këto janë disa prej gjërave që janë të përditshme e mujore për sa i përket studentëve që duhet t’i bëjnë.

Prandaj, ndihma ndaj studentëve në këtë kohë krize është e domosdoshme sepse nuk është dëshirë por është nevojë. E kjo mbase nuk vjen vetvetiu pa e kërkuar, prandaj studentët e Maqedonisë së Veriut këtë gjë veçmë e kanë kuptuar dhe janë ngritur të bashkuar që sot të protestojnë para vendit ku pretendohet të merren vendime në shërbim të vendit, Kuvend.

Mes tjerash, pritet edhe një takim të realizohet që është thirrur nga deputetja e Kuvendit, Monika Zajkova, e cila ka thirr në takim përfaqësuesit e studentëve për të diskutuar për kërkesat e tyre. Pritet që pas protestës dhe takimit që do të realizohet, të gjendet kompromisi i nevojshëm që këto kërkesa të plotësohet dhe jeta studentore të lehtësohet. /Zhurnal.mk

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.