Monday, December 5, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Takimi Kurti-Vuçiq, analistët: Kosova nuk është në pozicion të mirë

Kryeministri Albin Kurti po zhvillon takim me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësim të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Ky takim po zhvillohet me synim që të arrihet një marrëveshje për targat ilegale, ndërkohë që nga nesër fillon gjobitja e vozitësve që mbajnë targa të tilla.

Analisti Ilir Ibrahimi vlerëson se të mbahet një takim trepalësh enkas për çështjen e targave, është shkuarje prapa në proces.

“Targat nuk janë mosmarrëveshja kryesore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por është një nga dhjetëra çështje teknike të cilat do të mund të zgjidheshin me një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha ai.

Ibrahimi tha se çfarëdo që sjellë ky takim, ajo që dihet është se pala kosovare e ka vendosur veten në një pozicion të palakmueshëm.

“SHBA dhe BE kanë pasur dy kërkesa ndaj palës kosovare së fundmi- shtyrjen e vendimit të targave dhe fillimin e themelimit të asociacionit. Mjafton që Vuçiq të kërkojë ato që ka kërkuar komuniteti ndërkombëtar dhe pala kosovare të mbetet e vetme në një anë dhe Serbia në koordinim me fuqitë botërore”.

Ibrahimi thotë se ardhja deri në këtë situatë është dekurajuese.

“Se si ka ardhur koha që të kemi një rreshtim të tillë është me të vërtetë dekurajuese dhe dëshmi e një qasjeje të pamenduar të qeverisë në politikën e jashtme në përgjithësi dhe në procesin e dialogut në veçanti. Mos të harrojmë, kërkesa për shtyrje të vendimit të targave ka ardhur nga Sekretari Blinken. Të injorosh këtë kërkesë dhe të shkosh të negociosh një shtyrje të mundshme me presidentin Vuqiq, komisionarin Borrell dhe të deleguarin Lajqak, nuk është taktike e mençur”, u shpreh ai.

Se Kosova është në pozicion jo të mirë, e thotë edhe analisti tjetër, Dritëro Arifi, teksa vlerëson se nga ky takim janë dy opsione.

“Nga ky takim janë dy opsione. Opsioni më pozitiv është që dy palët të gjejnë  gjuhë të përbashkët dhe në fund të ditës të dalin më një marrëveshje, ndërsa opsioni tjetër është që të mos arrihet marrëveshje, por se prapë se prapë Qeveria Kurti do të detyrohet ta shtyjë vendimin. Secili variant është dorëzim për Kosovën, pasi që është dashur me kohë të shtyhet vendimi për gjobitjen e qytetarëve serbë. Kjo i bie se Qeveria po lëshon pe, pasi që edhe është dashtë edhe vetë më fol me qytetarët serbë në veri, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje. Ky është dorëzim i Qeverisë për shkak të vendimeve të pamatura”, tha Arifi.

Ndërsa, nëse Kurti nuk lëshon pe dhe vazhdon me fazën e dytë të vendimit për targat ilegale, gjobitjen, Arifi thotë se kjo do të sjellë irritim dhe frikësim tek qytetarët.

“Nëse nuk ka marrëveshje dhe Kurti vendos të vazhdojë vendimi për gjobitje, qytetarët do të irritohen dhe frikësohen, kjo do të sjellë edhe tensione. Do të humb besimi edhe në Qeveri”.

Arifi tha se pa marrë parasysh rezultatin final të këtij takimi, Vuçiqi është fitues.

“Ne nuk e kemi kuptuar se në çfarë pozite jemi. Ai prapë është fitues, sepse po luan në territorin tonë”.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.