Talebanët kumtuan sot se po hetojnë ato që i quajtën “pretendimet” se lideri i Al-Kaedës, Ejmen al-Zavahiri është vrarë në një sulm me dron amerikan në kryeqytetin afgan, transmeton Beta.
Megjithatë, grupi këmbënguli në deklaratë se “nuk kishte njohuri për mbërritjen dhe qëndrimin” e al-Zavahirit në Afganistan. Kjo është hera e parë që talebanët kanë reaguar ndaj njoftimit të SHBA-së se al-Zavahiri ishte objektivi i sulmit të tyre të dielën.
Edhe pse talebanët mohojnë të kenë dijeni për praninë e al-Zavahirit, zyrtarët amerikanë thanë se shefi i Al-Kaedës po qëndronte në një shtëpi të sigurt në Kabul të lidhur me nënkryetarin e talebanëve.
Al-Zavahiri u vra në një sulm kur doli në ballkonin e shtëpisë së sigurt. Prania e tij në Kabul dhe vrasja i tensionoi edhe më tej marrëdhëniet midis talebanëve dhe Perëndimit, veçanërisht pasi udhëheqësit afganë kërkuan ndihmë urgjente financiare për t’u marrë me krizën ekonomike që pasoi tërheqjen e SHBA-së një vit më parë.
Talebanët u zotuan në marrëveshjen e Dohas që të mos strehojnë anëtarë të Al-Kaedës ose ata që kërkojnë të sulmojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.