Tuesday, January 31, 2023
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

“Tár”-i i Cate Blanchettit, si polemikë kinematografike

Nga: Susie Orbach, psikanaliste, shkrimtare dhe kritike sociale / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Pas pretendimeve për mizogjini, debati rreth “Tár”-it – të filmit me aktoren Cate Blachett si Lydia Tár, si dirigjentja e famshme klasike, imagjinare dhe si një grabitqare seksuale – është riformuluar në aspektin e fuqisë, jo të gjinisë. Por, a është kjo e drejtë?

Po dhe jo. Nuk mund ta injorojmë se është grua e një brezi të caktuar. Tridhjetë vjet më e re se feministët e valës së dytë (brezi im) që u rrit në fillim të viteve 1970; ajo nuk identifikohet si grupi shumë më i vogël i valës së tretë, megjithatë i përshtatet asaj grupmoshe. Nëse e marrim Tárën si emblemë të brezit të saj, mund t’ia kuptojmë më mirë karakterin dhe kostot me të cilat u përball.

Gratë e valës së dytë e dinin se fuqia e tyre ishte problematike. E dinin sa ishte e frikshme që ta marrin. E dinin se përderisa përpiqeshin ta bënin këtë, do të hasnin në kufizime dhe në tabu të brendshme. Gjykimet do të vinin nga vetvetja nëse rrezikonin ta bënin këtë. Gjykimet do të vinin nga të tjerat teksa ato guxonin të ecnin para.

Ajo që u bë e domosdoshme në feminizmin e valës së dytë, ishte bashkimi i grave për t’i kuptuar konfliktet e shumta – të brendshme dhe të jashtme – që do të pasonin nga dalja e tyre dhe nga shpresat që kishin ngulitur në mendje. E dinim se kishim nevojë për njëra-tjetrën kur përpiqeshim t’i kalonim këto barriera. Nuk ishte e lehtë, por kur ndodhi mbështetja për ndryshime personale dhe sociale, kjo na ribëri.

Natyrisht, kishte edhe dobësi. Kishte tendenca për të ecur në hap, për të mos i thyer radhët, për të ecur para në një trupë të mirëfilltë në formën e re të motërzimit që ndonjëherë mund t’ua ndalte frymën. Gratë individuale që zinin hapësirë mund të përjetoheshin si kërcënuese (si dhe të admiruara). Gjykimet do të vinin nga të tjerët, pasi ato guxuan të vazhdonin para dhe, megjithatë, kjo u arrit.

Kur bëhet fjalë për amësinë, ato të valës së dytë kuptuan se për t’ua siguruar vajzave të tyre gjërat që u duhen, duhej të gjenin mënyrën për t’ua bërë me dije se konflikti dhe frika do të jenë pjesë e asaj që vjen. Bota nuk do të ishte një margaritar pa atë njohuri.

Për brezin e grave që u rritën 10 deri në 20 vjet pas valës së dytë, ato të cilat u ndikuan nga idetë feministe pa qenë në grupe ndërgjegjësuese, dëshirat fisnike që kishin për vajzat dhe nxënëset nënkuptonin se tek ato nxisnin ambicie dhe mbështetje për të qenë “të madhërishme” dhe “të guximshme”, ndërkohë që pa dashje lanë mënjanë koston e konfliktit të brendshëm dhe të dyshimit, si dhe frikën për të zënë një vend. Forca e vajzës ishte mantra.

Tár e mishëron atë ambicie brezash. Është talente e madhe. Është e frikshme në pasionin për muzikën. Punon shumë. Është serioze. Megjithatë, nuk mund të lejojë cenueshmërinë. Kur vajza e saj ngacmohet, e rreh dhunuesin, ndoshta aq sa për ta heshtur pjesën e frikësuar në vetvete. Kur një student në një masterklasë vë në dyshim njohuritë që kanë të bëjnë me kompozitorin e frytshëm Bach, ajo përpiqet ta afrojë, t’ia shfaq atij gjenialitetin dhe çështjet muzikore të Bachut, t’ia japë këtij të riu atë që ajo nuk kishte marrë në trajnimin e saj, por ai kundërvihet.

Tár duket e patrembur, madje e pamëshirshme. Ka një butësi, po, por e ndiejmë se është ndaj atyre që nuk kanë atë që ajo ka. Pastaj lëndohet prej tyre ose lodhet nga ta dhe i largon. Ndoshta mund të tolerojë vetëm pak teksa sheh nevojat që nuk mund të plotësohen.

Shikimi i këtij filmi ma kujtoi filmin tjetër aktual, “Women Talking”, në të cilin jemi dëshmitarë të grave të caktuara të një kolonie të izoluar menonite, që përpiqen të shprehen, të flasin për përvojat e veta – shumë prej tyre të neveritshme – dhe të mblidhen së bashku për të vendosur për një veprim të frikshëm. Ma kujtoi valën e dytë, të guximit për të folur, për të ndryshuar, për të qenë të vështira, për të qenë zemërake, për t’u pranuar, e ndërkohë për të gjetur mënyrën për të punuar me njëra-tjetrën, duke njohur kompleksitetin dhe ndryshimin. Kjo luftë është ajo që na çoi, shumë prej nesh, drejt psikanalizës dhe rikonfigurimit të saj, për të kuptuar se si e jashtmja futet brenda dhe e brendshmja del jashtë. Kjo bëri që të tjerat të valës së dytë të rimendojnë për historinë, artin, shkencën, arsimin, teknologjinë, teatrin e kështu me radhë.

Konfliktet e shumta të brendshme që dalin teksa këto ditë rritesh si vajzë – dhe si djalë, gjithashtu – janë aq të kushtueshme, kufizuese dhe jo thjeshtë të gjera sa mund të shpresojmë. Nuk është çudi se tani vlerësohen shkrim-leximi dhe terapia emocionale që dikur talleshin ose fshiheshin prapa dyerve. Të rinjtë, të moshuarit: të gjithë ne duhet të dëgjojmë. Të gjithë duhet të dëgjohemi, për t’i menaxhuar pabarazitë e shumta komplekse që janë strukturore dhe të brendshme.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss