Shkup, 11 maj – Tema e këtij takimi ishin marrëveshjet kolektive për arsim fillor dhe të mesëm, ndërsa të dy palët debatuan për çështje të cilat duhet të jenë pjesë përbërëse të marrëveshjeve kolektive, kumtoi Sindikata e pavarur për arsim, shkencë dhe kulturë (SASHK) në faqen e saj në Fejsbuk pas takimit të sotëm dyorësh me përfaqësues të MASH-it, i cili u mbajt në selinë e SASHK-ut dhe në kuadër të dhjetë ditëve afat shtesë për pajtim.
“Po ashtu, debatohej edhe për kornizën kohore për përpunim, nënshkrim dhe zbatimin e marrëveshjeve në periudhën që vijon. Harmonizimi përfundimtar mes dy palëve lidhur me këtë çështje, si dhe çështjet tjera lidhur me përqindjen e rritjes së pagave, pritet të arrihet të premten, 13 maj 2022, për kur u caktua edhe takimi i ardhshëm”, njoftoi SASHK në publikimin në Fejsbuk.
Sindikata nesër do të ketë takim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ku, siç njoftojnë nga MPPS, do të hapet çështja për Marrëvehsjen kolektive për institucionet parashkollore, e cila skadon në qershor, si dhe çështja për zgjidhje ligjore në pjesën e pagesës së pagave.