Shkup 19 shtator – Në Gjykatën Penale të Shkupit për sot është caktuar seancë gjyqësore për rastin e aksidentit të autobusit të “Durmo Turs”, i cili ka ndodhur në Llaskarcë në shkurt të vitit 2019-të dhe në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe 37 të tjerë janë lënduar, njofton Portalb.mk.
Seanca pritet të vazhdojë me deklaratat e ekspertëve të cilët e kanë përgatitur superekspertizën e komunikacionit.
Në seancën e kaluar, duke u përgjigjur në pyetje të Lupço Micevskit, avokat i shoferit të autobusit, eksperti Lupço Apostollov deklaroi se kontrolli teknik nuk është garanci se pas kontrollit, automjeti nuk mund të prishet dhe për këtë ka raste kur automjeti sapo ka dalë nga stacioni teknik është prishur. Ndaj deklaratës së ekspertit, reagoi gjykatësja Diana Gruevska Ilievska, duke theksuar që nëse është ashtu, atëherë duhet të mos bëhet fare kontroll teknik.
Ndryshe, superekspertiza e komunikacionit, ashtu sikur superekspertiza makinerike, është përgatitur me urdhër të gjykatës, ekspertizat paraprake kanë pasur kontradikta mes tyre. Avokatët e pjesëtarëve të kompanisë “Durmo Turs”, fajin ia hedhin shoferit të autobusit, ndërkaq avokati i shoferit, pretendon që fajtore është kompania, pasi që autobusi nuk ka qenë në gjendje të rregullt teknike.
Sipas dy ekspertizave, autobusi ka pasur parregullsi teknike, por këto parregullsi nuk kanë qenë shkaktar për aksidentin. Sipas tyre, shoferi edhe pse ka pasur mundësi, nuk i ka ndërmarrë veprimet e duhura për ta ndaluar autobusin, gjegjësisht nuk ka frenuar.
Prokurori konteston superekspertizat, ashtu sikur edhe familjarët e viktimave.
Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.
“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.