Thursday, May 26, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Vdekjet shtesë në Shqipëri nga fillimi i pandemisë arrijnë në 16.2 mijë, 4.7 herë më shumë se deklarimet zyrtare

Ndonëse me ritme më të ulëta se në dy vitet e mëparshme, pandemia e Covid-19 ka vijuar që të marrë jetë njerëzish edhe në tremujorin e parë të këtij viti.

INSTAT bëri të ditur se në janar-mars 2022, në vend u shënuan gjithsej 7,938 vdekje. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur pandemia kulmoi dhe u regjistrua niveli më i lartë rekord i vdekjeve në historinë e Shqipërisë, numri është 22.3 për qind më i ulët.

Por, në raport me mesataren 2016-2019 të janar-mars, kur vendi ishte në periudhë normale, fatalitetet janë rritur me 25.3 për qind, në një tregues që pandemia vijon të vrasë, por edhe të pasojave që ka lënë te popullata që e ka kaluar Covid-19, duke përshpejtuar rastet fatale.

Që nga prilli i vitit 2020, kur filloi pandemia, në vend janë shënuar 16.2 mijë vdekje shtesë, në raport me mesataren e 2016-2019, kur ishte një periudhë normale, sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga Monitor.

Në krahasim me vdekjet zyrtare të raportuara nga COvid-19 nga Ministria e Shëndetësisë deri në 31 mars 2022, që ishin 3,492 gjithsej, fatalitetet shtesë janë 4.7 më të larta. Nëndeklarimi në Shqipëri është më i lartë se mesatarja globale, ku sipas OBSH-së vdekjet në botë janë gati 3 herë më të larta se deklarimet.

14.6 mijë fatalitete shtesë u regjistruan vetëm për periudhën 2020-2021, sipas të dhënave të INSTAT dhe 1,603 humbje jete shtesë ishin në tremujorin e parë të këtij viti.

Për gjithë vitin 2021, në vend u shënuan gjithsej rreth 30.6 mijë (30,580) humbje jete, duke shënuar nivelin më të lartë rekord të arritur ndonjëherë në historinë e vendit. Ky është viti i dytë radhazi, kur fatalitetet në vend po rezultojnë të larta. Në vitin e parë të pandemisë, në 2020-n u regjistruan në total 27.6 mijë fatalitete, nga 21.8 mijë që ishte mesatarja e periudhës 2016-2019.

Në krahasim me mesataren e 2016-2019, kur ishte një periudhë normale, vdekjet në vitin 2021 janë rritur me 40 për qind. Edhe në 2020-n, vdekshmëria shtesë në raport me mesataren 2016-2019 u rrit me rreth 26 për qind.

Tremujori më fatal, që me fillimin e pandemisë ishte janar-mars 2021, kur u regjistruan 10.2 mijë humbje jete, me rritje prej 61 për qind në krahasim me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019.

Pas tij renditet tremujori i katërt 2020, me gati 9.4 mijë fatalitete, me rritje 42 për qind në raport me mesataren përkatëse 2016-2019.

Pas marsit 2021, pasojat e pandemisë në humbjet e jetëve u reduktuan ndjeshëm, por gjithsesi deri në fund të vitit ato mbeten më të larta sesa përpara fillimit të pandemisë.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.