Friday, February 23, 2024
spot_img

Latest Posts

VMRO bindshëm para LSDM-së, LEN i afrohet BDI-së!

Shkup, 7 shkurt – Me afrimin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, të shumta janë edhe anketat që po publikohen në opinion, të realizuara nga institute të ndryshme për matjen e opinionit publik. E fundit është anketa e realizuar nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup për nevojat e servisit publik, e cila u prezantua në emisionin “Objektivi” ku thuhet se VMRO-DPMNE ka përparësi të dyfishtë ndaj LSDM-së në pushtet. Njohësit e proceseve politike në vend thonë se anketat mund të ndikojnë te qytetarët e papërcaktuar që të votojnë për njërën apo tjetrën parti, por sipas tyre, anketat nuk duhen perceptuar si të sakta.

“Anketat si çdoherë bëhen më aktuale ashtu siç afrohen zgjedhjet. Në varësi se nga cili institut zbatohen, mund të shihet nëse ndonjë anketë është e porositur ose a është reale. Megjithatë nuk mund të merren si ‘sakta’, sepse bëhet hulumtim vetëm të një grupi të caktuar të njerëzve, dhe në bazë të kësaj nuk mund të hulumtohet disponimi real i qytetarëve. Aq ndikim të madh nuk kanë, por mund të jenë pikënisje në përcaktimin e qytetarëve për të votuar. Megjithatë ‘anketën’ finale do ta marrim më 8 maj”, ka deklaruar për KOHA, Dimitar Hristov, politolog.

Ndryshe, në anketën e publikuar së fundmi, në pyetjen se për cilën parti do të votoni në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, VMRO-DPMNE ka përparësi të dyfishtë ndaj LSDM-së, gjegjësisht VMRO-DPMNE-në e mbështesin rreth 19.4 për qind të qytetarëve, ndërsa LSDM-në vetëm 10 për qind. E treta me mbështetje nga qytetarët është BDI 6.5 për qind, por Lëvizja Evropiane për Ndryshim ka një rritje të konsiderueshme me 5.4 për qind, ndërsa ZNAM ka mbështetjen 4.5 për qind, e Majta 3.9 për qind, Aleanca për Shqiptarët afër 2 për qind, ndërsa madje 22 për qind nga qytetarët e anketuar janë përgjigjur se nuk do të votojnë për asnjë parti, 13.8 për qind nuk duan të tregojnë, ndërsa as 11.5 për qind nuk e dinë ose nuk kanë përgjigje.

Në njësinë zgjedhore 6, BDI ka mbështetjen më të madhe prej 17.9 për qind, por shumë afër ose 16 për qind pasohet menjëherë nga Lidhja Evropiane për Ndryshim, ndërsa nga blloku maqedonas e treta është VMRO-DPMNE me 8.1 për qind, pastaj Aleanca për Shqiptarët me 7 për qind, dhe e pesta me mbështetjen e qytetarëve është LSDM-ja në pushtet me vetëm 4.4 për qind, gjegjësisht edhe në këtë njësi zgjedhore VMRO-DPMNE ka dyfish avantazh ndaj LSDM-së. E Majta me 0.6 për qind, ZNAM e Maksim Dimitrievskit është me 0.5 për qind, 20 për qind janë përgjigjur asnjë, 17.6 për qind nuk kanë dashur të tregojnë, ndërsa 5.9 për qind kanë thënë se nuk e di apo nuk kam përgjigje.

Për më tepër, në pyetjen se cila parti mendoni se do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, VMRO-DPMNE ka një avantazh pothuajse trefish më të madh se LSDM në Njësinë zgjedhore numër 2. Gjegjësisht, 28 për qind e qytetarëve janë përgjigjur se mendojnë se do të fitojë VMRO-DPMNE-ja, ndërsa vetëm 10.3 për qind mendojnë se do të fitojë LSDM-ja. E treta është BDI nga blloku shqiptar me 8.9 për qind, LEN me 4.6 për qind dhe ZNAM me 4 për qind. Vetëm 3.4 për qind e konsiderojnë të Majtën, vetëm 2.8 për qind për ASH, 9 për qind janë përgjigjur asnjë, 3.8 për qind nuk kanë dashur të tregojnë, ndërsa 24.4 për qind e të anketuarve nuk kanë dashur të përgjigjen.

Në njësinë zgjedhore numër 6, 18.2 për qind besojnë se BDI do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, menjëherë ose 16.8 për qind e të anketuarve besojnë se do të fitojë LEN, ndërsa vetëm 6.2 për qind besojnë se do të fitojë ASH. VMRO-DPMNE është e treta me 10.6 për qind, ose katër herë më shumë në krahasim me LSDM-në në pushtet, për të cilën vetëm 2.6 për qind thanë se mendojnë se do të fitojë. 1 për qind mendojnë për të Majtën dhe ZNAM, ndërsa 10.7 për qind janë përgjigjur se nuk mendojnë se do të fitojë ndonjë parti. Ndërkaq, 42.2 për qind e qytetarëve të anketuar janë përgjigjur në pyetjen nëse javën e ardhshme do të ketë zgjedhje parlamentare, a do të shkojnë të votojnë. Ndoshta po 9.5 për qind, ndoshta jo 6.2, nuk ka shansa për të votuar 25.3 për qind dhe nuk kam përgjigje 16.8 për qind, thanë të anketuarit.

Për të njëjtën pyetje në njësinë zgjedhore numër 6, 32.9 për qind janë përgjigjur me po sigurisht do të votoj, 15.2 për qind janë përgjigjur ndoshta po, ndërsa 11.8 për qind janë përgjigjur negativisht, pra ndoshta jo, dhe 17.7 për qind janë përgjigjur se nuk ka shanse të votojnë. Edhe këtu ka një përqindje të lartë, pra 22.5 për qind janë shprehur se nuk kanë përgjigje ose nuk e dinë.

Sondazhi u krye me telefon në njësinë zgjedhore numër 2 me 1002 të anketuar, ndërsa në njësinë zgjedhore numër 6 anketa u krye me 1001 qytetarë me një mundësi gabimi plus ose minus 3 për qind. (koha.mk)

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss