Tuesday, November 29, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Latest Posts

Zgjerohet lista: Subvencione për rrymë edhe për shkollat fillore e të mesme, ndërmarjet publike…

Shkup, 24 nëntor – Prej ditës së djeshme, kur mbaroi afati, për furnizim të subvencionuar me energji elektrike me çmim preferencial  nga 1 dhjetori janë paraqitur 233 shkolla fillore dhe të mesme nga të gjitha qytetet prej gjithsej 474 në territorin e shtetit, 50 ndërmarrje publike nga fusha e furnizimit me ujë dhe kullimi i ujërave të zeza nga gjithsej 70-të, si dhe 235 subjekte, persona fizik dhe juridik, nga fusha e sektorit ushqimor.

Sipas vendimit të Qeverisë, kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë si vaj ushqimor, bukë dhe produkte furre, miell, qumësht dhe produkte qumështi, industria e mishit dhe shpendëve do të marrin energji elektrike të subvencionuar përmes “EMV Shitjes” me çmim prej  80 euro për megavat orë, për shkollat ​​fillore dhe të mesme çmimi i subvencionuar do të jetë 95 euro për megavat orë, po aq sa për ndërmarrjet publike në fushën e ujësjellësit dhe kullimit të ujërave të zeza që operojnë me stacione pompimi dhe pastrimi.

“Për ata që e shfrytëzuan këtë mundësi dhe u regjistruan, SHA EMV përmes “EMV shitjes” do të fillojë nga data 1 dhjetor me furnizimin e tri kategorive të konsumatorëve që mbulohen nga vendimi i Qeverisë për energjinë elektrike të subvencionuar. Subjektet që deri dje nuk kanë dorëzuar dokumente të plota do të mund ta bëjnë këtë në periudhën e ardhshme dhe do të vendosen në furnizim të subvencionuar nga 1 janari i vitit të ardhshëm”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski në konferencën e sotme për media në Qeveri.

Ai theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në mbështetjen e qytetarëve dhe kompanive.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, tha se që nga fillimi i krizës energjetike, Ministria e Ekonomisë ka qenë në komunikim të përditshëm me sektorin e biznesit dhe në bazë të kësaj, siç tha ai, janë miratuar një sërë masash me  qëllim të mbrojtjes së standardit të qytetarëve dhe uljes së inflacionit nëpërmjet masave të caktuara për tregtarët dhe prodhuesit e produkteve ushqimore bazë.

“Ne kemi ofruar çmim fiks të energjisë elektrike prej 80 euro për megavat orë për kompanitë nga sektori ushqimor që prodhojnë produkte ushqimore bazë, që është më shumë se dy herë më i ulët se çmimi i energjisë elektrike në tregun e rregulluar”, tha Bekteshi.

Ai theksoi se rritja e çmimeve të ushqimeve vendore është deri diku në përputhje me lëvizjet e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në tregun ndërkombëtar.

“Çmimet më të larta të produkteve të drithërave dhe vajit të lulediellit  janë kryesisht reflektim i rritjes së lartë të çmimeve të drithërave dhe vajit të papërpunuar në bursat botërore”, tha Bekteshi.

Ai tha se javën e kaluar ka pasur takime me prodhuesit më të mëdhenj vendas të produkteve bazë ushqimore dhe grupacionet e tyre dhe shtoi se me disa prodhues pjesë më të madhe në formimin e çmimit ka komponenti i importit të ushqimit, e me të tjerët energjia elektrike.

“Në rastin e energjisë elektrike tashmë po bëhen përllogaritje të reja të çmimeve sipas gjendjes aktuale të kostove, dhe jo sipas të ardhmes apo asaj që parashikohet si çmimi i energjisë elektrike në periudhën në vijim”, theksoi Bekteshi dhe shtoi se me to mund të jetë më e shpejtë për të pritur një korrigjim, gjegjësisht një ulje të çmimeve.

Ai tha se disa nga prodhuesit e qumështit dhe bukës tashmë kanë filluar të ofrojnë produkte me çmime më të ulëta – të korrigjuara.

“Nga 1 dhjetori duhet të shohim rezultatet në treg të çmimeve të korrigjuara të produkteve ushqimore bazë dhe në katër muajt e ardhshëm, derisa të zgjasë situata e krizës, pres që ulja e çmimeve të tyre të vazhdojë. Ulja prej 10 për qind është realiste sipas të gjitha analizave të bëra nga Ministria e Ekonomisë dhe institucionet e tjera”, theksoi Bekteshi.

Ai bëri të ditur se Inspektorati Shtetëror i Tregut në vazhdimësi do të kryejë kontrolle te tregtarët me shumicë dhe pakicë për respektimin e masës për marzhe të kufizuara gjatë përcaktimit të çmimeve. Kontrolle shtesë, siç tha ai, priten nga 1 dhjetori.

Drejtori i përgjithshëm i SHA EMV, Vasko Kovaçevski ka treguar se për gjithsej 518 subjekte të reja, SHA EMV  përmes “EMV shitjes” nga 1 dhjetori do të duhet të sigurojë energji elektrike me çmime më të ulëta.

“Lista  është dërguar në “EVN shpërndarje” për të kryer procedurat e nevojshme për të filluar furnizimin pa probleme të energjisë elektrike nga 1 dhjetori me çmim prej 80 euro për megavat orë për subjektet afariste nga industria ushqimore dhe 95 euro për shkollat ​​dhe ndërmarrjet publike”, tha Vasko Kovaçevski.

Ai ka theksuar se në periudhën e fundit kompanitë kanë aplikuar për furnizim të subvencionuar me energji elektrike, të cilat nuk janë mbuluar me vendimin e Qeverisë dhe për këtë arsye nuk janë marrë parasysh. Siç tha ai, ka nga ata me aplikime të pakompletuara dhe shtoi se do të mund t’i plotësojnë në periudhën e ardhshme dhe do të hyjnë në grupin e furnizimit të subvencionuar nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

“Për momentin nuk kemi të dhëna të sakta dhe të përcaktuara për sasinë totale të energjisë elektrike që SHA EMV përmes  “EMV shitjes” do të duhet ta sigurojë për këto tre kategori të konsumatorëve. Llogaritjet janë duke u bërë tani dhe do të përgatiten në bashkëpunim me “EVN Elektroshpërndarje”, tha Vasko Kovaçevski.

Për përdoruesit e rinj, siç tha ai, do të jetë i nevojshëm furnizimi i pjesshëm i energjisë elektrike, për të cilën Qeveria do të subvencionojë mjete ndaj EMV-së nga buxheti i planifikuar për krizën energjetike në vitin 2022 dhe 2023. 

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss

Stay in touch

To be updated with all the latest news, offers and special announcements.