Wednesday, February 21, 2024
spot_img

Latest Posts

Zyra e Presidentes i kërkon falje familjes së Jakup Krasniqit, thotë se nuk e di kush ka “ndërhyrë” në tekst

Zyra e presidentes Vjosa Osmani thotë se nuk kanë qenë të njoftuar e as të konsultuar lidhur me ndërhyrjen në tekstin në uebfaqen e Presidencës së Kosovës sa i përket biografisë së ish-ushtruesit të detyrës së presidentit dhe kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Bekim Kupina, këshilltar i presidentes Osmani, ka thënë se po hetohet momenti kur është ndërhyrë në tekst dhe nga kush. “Rrjedhimisht, Presidentja Osmani ka kërkuar përgjegjësi të plotë për këtë rast dhe ndërmarrjen e menjëhershme të masave diciplinore për personat përgjegjës. Poashtu, qysh nesër do të kërkohet hetim nga ana e Policisë së Kosovës, Njësia për Krime Kibernetike”, ka shkruar ai, në Facebook.

“I kërkojmë ndjesë z.Jakup Krasniqi dhe familjes së tij për situatën e krijuar dhe e sigurojmë se një veprim i tillë është bërë pa dijeninë e Presidentes dhe pa autorizim paraparak të askujt nga ekipi i saj”, ka shkruar Kupina.

Ish-zëdhënësi i UÇK-së, historiani dhe politikani, Jakup Krasniqi është prezantuar si i akuzuar për krime lufte në biografinë zyrtare të tij në uebfaqen e Zyrës së Presidentit.

Në paragrafin e tretë të biografisë së Jakup Krasniqit si ish-ushtrues detyre i presidentit, kabineti i Vjosa Osmanit është kujdesur që Jakup Krasniqin ta paraqes si një të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kanë raportuar mediet, sot.

Pas kësaj ka reaguar ashpër vajza e Jakup Krasniqit, Gresa. Përmes një shkrimi në Facebook, ajo i ka hedhur kunja presidentes Osmani.

Gresë Krasniqi u shpreh se “shpirtin e shëmtuar nuk e zbukuron dot as me stoli, as me intervenime kirurgjike për dobësim”, duke aluduar qartë në presidenten Osmani, e cila dihet se ka kryer ndërhyrje kirurgjike për dobësim.

“Besoj se bukuria e njeriut rrjedh nga brenda ashtu siç besoj që shpirtin e shëmtuar nuk e zbukuron dot as me stoli, as me intervenime kirurgjike për dobësim e as me rroba firmato.”, ka shkruar ajo.

Jakup Krasniqi bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin u arrestuan në fund të vitit 2020 dhe po përballen me akuzën për krime lufte në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjatë kohës së luftës, Krasniqi shërbeu si zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Latest Posts

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Don't Miss